Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka komentuar kërkesën e kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit, që të kthehet në Kosovë por të mos qëndrojë në konvikt.
Abrashi ka pohuar se çdo qytetar është i barabartë para ligjit, transmeton Telegrafi.
“Dmth, të drejtat dhe detyrimet e miliarderit dhe hamallit peshojnë njëjtë. Mbi këtë bazë është ndërtu koncepti i shtetit të së drejtës që aspirojmë ne. Ky është kushti kryesor i kontratës shoqërore. Barazia para ligjit. Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës. Karantinimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Abrashi ka pohuar se Pacolli është i mirëseardhur por fillimisht në konvikt.
“Dhjetëra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe? Mendësia çifligare dhe standardet e Banana Republikave çfarë mund t’i ketë për qejfi, ekselenca mund t’i gjejë tek miqtë e tij tiranik nëpër botë, por jo në Kosovë. Je i mirëseardhur. Por fillimisht në konvikt”.
Ndryshe, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se ajo çfarë po ndodhë është tronditëse për të, duke shtuar se ai po pengohet të kthehet në Kosovë nga një Qeveri të cilën ai e ka votuar.
“Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët”, kishte thënë ai./Telegrafi/