Telegrafi

Deputeti i Listës Guxo: Ambasadori Berishaj duhet të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë

Deputeti i Listës Guxo, Burim Meta, ka kërkuar që ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë.

Kjo pasi Berishaj po akuzohet se është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

“Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z. Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë”, ka shkruar Meta në Facebook.

Sipas tij, me një vendim të tillë do të ruhej imazhi i Kosovës “pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë”.

Lexo po ashtu Rasti i ambasadorit Berishaj, të gjitha akuzat e opozitës dhe sqarimet e pushtetit

“Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolën ambasadorët”.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Gjatë javës që shkoi, emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përmendur në mediat sllovene për përfshirje në një skandal financiar.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar partitë politike në vend, kurse presidentja, kryeministri dhe ministrja e Jashtme nuk kanë komentuar rastin derisa të mos marrin sqarimet nga vetë ambasadori Berishaj.

Mediumi slloven “Planet TV” të enjten ka raportuar për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, i cili është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar, MB Consulting.

Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Mirëpo, ambasadori Berishaj i ka mohuar të gjitha pretendimet për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi, te politikani slloven. /Telegrafi/