Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, në një intervistë në emisionin “Përballje” të premten, ka folur për raportet e tensionuara mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, deputeti kritikuar ashpër kryeministrin Rama të cilin e ka cilësuar edhe si “bela”, ndërsa ka thënë se shpreson që Shqipëria të shpëtojë nga ai.
“Unë mendoj se jemi në rrugëtimin tonë natyral për të qëndruar si një komb. Kjo rrugë e jona duhet me zgjuarsi të kombinohet me interesat ndërkombëtare gjeopolitike. Këtu duhet të jemi pak të shkathët. Është çështje kohe. Shpresoj të shpëtojmë edhe ne në Shqipëri nga Rama se na gjeti belaja e belaja jonë ju ka ardhë dhe po ju ha edhe juve atje. Na ka ikur një njeri nga cirku na çmendi ne, po ju çmend juve dhe po e çmend edhe botën”, është shprehur Alizoti.
Duke komentuar veprimet e fundit të Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë, ai ka thënë se kryeministri shqiptar po sillet si suedez.
“Rama po sillet si suedez e jo si shqiptar. Edhe sikur Kurti të jetë gabim në hapat që ndërmerr, Rama duhet t’i mbulojë me gjithë administratën që ka, me gjithë shtetin që ka duhet të ia mbulojë gropat dhe gafat Kurtit”, është shprehur deputeti i PD-së.
“Problemi që ka Rama është se ai ka prishur marrëdhëniet institucionale në 100 vjet shtet, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Rama ka bërë dy gafa të mëdha, (këto kanë qenë dy teza serbe prej kohësh, historikisht). E para, kemi marrëdhënie direkte me Shqipërinë duke zhbërë Kosovën (pra, nuk ekziston Kosova, pasi është pjesë e Serbisë dhe për çështje shqiptare flasim me shqiptarët jo me kosovarët) dhe e dyta Rama ka lënë të nënkuptojë që destruktivi në këtë situatë nuk është Vuçiqi, por Kurti. Pra, kush e lexon ftohtë, këtë mesash ka dhënë Rama”.
Alizoti tutje ka thënë se shqiptarët në Kosovë duhet të jenë të unifikuar me qëndrime dhe se nuk duhet të përdorin politikën e jashtme për konsum ditor të brendshëm. Sipas tij, kjo po ndodh në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
“Në përkufizimin e politikës së jashtme quhet një kapital kombëtar. Kështu e quajnë amerikanët e gjermanët. Nëse për vendet e mëdha ka kosto, për shqiptarët është ekzistenciale. Shqiptarët ekzistojnë përmes gjeopolitikës e jo nëpërmjet luftës së tyre. Por, në diplomaci ka një rregull – gjithmonë lihet një derë hapur. Mua më pëlqen qëndrimi i Kurtit, por duhet të ketë dy hapa para e ndonjëherë edhe një hap mbrapa, për t’u kuptuar interesat politike”.
Sipas tij, Evropa po e përkëdhelë Serbinë në kurrizin e Kosovës, për ta shkëputur atë nga Rusia, “por kjo nuk do të ndodh”.
“Serbia është i vetmi vend në Ballkan që ka vullnetarë të cilët ikin në luftë me Rusinë në Ukrainë. Ka njerëz që kanë mbaruar shkenca politike që besojnë në pansllavizëm. Serbia është shtet i rrezikshëm. Është i vetmi vend në historinë e Evropës Lindore në Ballkan që hyn në luftë me NATO-n. Është shtet me probleme të thella psikike nacionaliste. Shqiptarët duhet të fuqizojnë që nëse Serbia mendon një agresivitet ndaj Kosovës, duhet të mendojë se ndërhyrja në Kosovë do të jetë aq e dhimbshme sa mos ta ndërmarr atë veprim. Kështu ka shpëtuar Kroacia nga Serbia”, ka deklaruar deputeti shqiptar. /Telegrafi/