Site icon Telegrafi

Deputetët e dënuar të VV-së do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, dënimin e tyre e quajnë politik

Deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje të cilat së bashku me dy deputetë të tjerë të kësaj lëvizje, u dënuan sot nga Gjykata Themelore për hedhje të gazit lotsjellës, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, në një konferencë për media kanë thënë se ky vendim është absurd.

Kadaj-Bujupi ka thënë se kanë vepruar drejtë duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Gjyqtari na ka dënua në emër të popullit dhe kjo është në kundërshtim pasi populli ka kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme duke na përkrahur në protesta, peticione”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ajo ka theksuar se nuk është e çuditshme nëse mundohen tua marrin mandatin e deputetit dhe t’ua pamundësojnë kandidimin në të ardhmen pasi që sipas saj në krye të shtetit ka njerëz që kanë kryer krime të ndryshme, krime ordinere, zhvatje dhe krime të tjera që janë dëshmuar shumë herë.

“Ky nuk është fundi i betejës tonë… VV dhe deputetët e saj asnjëherë nuk do të pranojnë që t’i bashkohen Klanit Pronto për tu amnistuar”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu ka theksuar se sot u dëshmua që në Kosovë nuk dënohen kriminelët por sot fatkeqësisht që sistemi jonë i kapur i drejtësisë po i dënon aktivistët dhe deputet që e mbrojtën republikën dhe territorin.

“Aktgjykimi është politik dhe asnjëherë prej seancave gjyqësore nuk ka pas prova konkrete. Ne nuk kemi pas qëllim kriminal, por gjyqtari Kalludra ka dashur që ta shkëpus qëllimin prej metodës. Por ky gjyqtar e ka të zënë “gishtin me derë”. Qëllimi ishte që të na shpallin fajtor, të kriminalizohet protesta jonë kundër Zajednicës dhe Demarkacionit”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për këtë vendim absurd që sipas saj është marrë nga një gjyqtarë i cili është i kapur nga Klani Pronto dhe ai i Mustafës. /Telegrafi/

Exit mobile version