Telegrafi

Depp thuhet se ka marrë ofertë prej 301 milionë dollarësh për t’u rikthyer në “Pirates of the Caribbean”

(Foto: MovieWeb)

Aktori Johnny Depp nuk e ka në plan të rikthehet në filmin “Pirates of the Caribbean”, siç ka konfirmuar zëdhënësi i tij.

Mirëpo, disa media amerikane raportojnë se aktorit iu ofruan rreth 301 milionë dollarë për t’u rikthyer në xhirimet e franshizës së njohur.

Gjatë gjyqit për shpifje ndaj ish-gruas së tij, Amber Heard, hamshori hollivudian kishte deklaruar se nuk do të rikthehej në rolin e kapitenit Jack Sparrow, edhe nëse do t’i ofroheshin 300 milionë dollarë dhe një milion alpaka.

Një shumë e tillë në çdo rast do të ishte joreale, duke qenë se do të ishte më e lartë se buxheti i përgjithshëm për xhirimet e filmit.

Lexo po ashtu Albumi i ri i Johnny Depp dhe Jeff Beck publikohet më 15 korrik

Sidoqoftë, faqja Down Under ka cituar burimet të kenë thënë se aktori ka marrë një ofertë të tillë, porse nuk është tërhequr nga vendimi i tij për të mos u rikthyer – transmeton NY Post.

Depp për herë të fundit e luajtur rolin e Jack Sparrow në vitin 2017. Bëhet e ditur se tashmë janë në përgatitje dy vazhdime të tjera, por aktori nuk do të jetë në asnjërin prej tyre.

Kujtojmë që 59-vjeçari u përjashtua nga “Pirates of the Caribbean” pasi Amber Heard e akuzoi atë në vitin 2018 për abuzim fizik dhe seksual. /Telegrafi/