Telegrafi

Departamenti amerikan i Shtetit i bën thirrje Serbisë që të hetojë vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i ka bërë thirrje Serbisë që të hetojë rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë 24 vjet më parë.

Ai po ashtu ka thënë se shteti serb duhet të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe fshehur këtë akt brutal.

Lexo po ashtu Vrasja e vëllezërve Bytyqi, familjarët kërkojnë nga SHBA-ja të angazhohet për zbardhjen e vrasjes së tyre

“24 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan derisa po mbaheshin nga Policia serbe. Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe fshehur këtë akt brutal”, ka shkruar Miller në Twitter, duke shtuar se “do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”.

Postimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit e ka shpërndarë edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Edhe Ambasada amerikane në Serbi sot ka kërkuar që të sillen para drejtësisë autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Yllit, Mehmetit dhe Agronit.

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ylli, Mehmet dhe Agron Bytytqi u ekzekutuan gjersa ishin në paraburgimin e policisë speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës”, ka shkruar ambasada në Twitter.
Lexo po ashtu Ambasada amerikane në Beograd për vrasjen brutale të vëllezërve Bytyqi: Serbia nuk po i sjell para drejtësisë autorët e krimit

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001. /Telegrafi/