Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i ka bërë thirrje Serbisë që të hetojë rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
Shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë 24 vjet më parë.
Ai po ashtu ka thënë se shteti serb duhet të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe fshehur këtë akt brutal.
“24 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan derisa po mbaheshin nga Policia serbe. Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe fshehur këtë akt brutal”, ka shkruar Miller në Twitter, duke shtuar se “do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”.
24 years ago, U.S. citizens Ylli, Agron, and Mehmet Bytyqi were executed in Serbian police custody. We again call on Serbia to fully investigate this case and hold accountable those who committed and covered up this brutal act. We will continue that call until justice is served.
— Matthew Miller (@StateDeptSpox) July 7, 2023
Postimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit e ka shpërndarë edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Edhe Ambasada amerikane në Serbi sot ka kërkuar që të sillen para drejtësisë autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Yllit, Mehmetit dhe Agronit.
Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001. /Telegrafi/