Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur thellësisht i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës.
Vetura në të cilin po udhëtonin gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu u sulmua nga një grup i maskuar i serbëve, në afërsi të Shkollës Teknike.
“AGK-ja e dënon fuqishëm sulmin, dhe kërkon sërish nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, makina me të cilën po udhëtonin ekipi i gazetarëve janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.
Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.
Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës. /Telegrafi/