Site icon Telegrafi

Kërkohet shkarkimi i gjyqtares dhe prokurores në rastin përdhunimit të 15-vjeçares

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nga Gjykata Themelore e Pejës, ka nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë rast, sot pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, u zhvillua një aksion simbolik nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Lexo po ashtu Dënimi me 8 muaj burg për dhunimin e 15-vjeçares, Kryeprokurori Lumezi kërkon të rishqyrtohet lënda

Liridona Sijarina nga kjo organizatë tha se me këtë vendim Gjykata Themelore e Pejës ka amnistuar dhunën ndaj vajzave dhe grave.

“Gjykata Themelore në Pejë dje mori vendim për dënimin e një burri me 8 muaj e 8 ditë burgim, i cili 10 vite më parë e kishte rrëmbyer dhe kanosur me thikë, e kishte mbajtur në një shtëpi kundërligjshëm dhe e kishte dhunuar seksualisht në grup një vajzë 15 vjeç. Ky vendim përveçse i vonuar dhe jo legjitim, është seksist dhe si i tillë vazhdon ta normalizoj dhe amnistoj dhunën ndaj vajzave dhe grave”, u shpreh Sijarina.

Ajo shtoi se dhunimi seksual si vepër është i dënuar me edhe sipas Kodit Penal i cili sanksionin dënim prej 5-20 vite burgim.

“Gjykata mori vendim mes tjerash duke e konsideruar si rrethanë lehtësuese se i akuzuari kishte shprehur keqardhje, që viktima gjatë aktit nuk kishte pësuar lëndime…Këto institucione që po i dhunojnë vajzat e gratë duhet të kundërshtohen nga të gjithë ne”, u shpreh ajo.

Sijarina shtoi se nuk do të tolerojnë që dhuna ndaj vajzave dhe grave të ushqehet, normalizohet e amnistohet nga institucionet.

Ajo përmendi edhe tri kërkesat e tyre kryesore e që ishin: Të hetohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtares së rastit, të shkarkohet gjyqtarja e rastit dhe të ofrohet transparencë e plotë për rastin.

Ndryshe, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /Telegrafi/

Exit mobile version