Site icon Telegrafi

Dëmtohen varrezat afër Çakorrit

ilustim

Sipas një ankuesi, disa varreza janë dëmtuar në vendin e quajtur Qafa e Vraçevës, 4.8 kilometra larg Çakorrit.

Avdi Nokshiqi që e ka raportuar këtë dëmtim varrezash, thotë se në këtë lokacion ndodhen 40 varreza shqiptare, ndërsa sipas tij dëmtimi ka ndodhur me armë zjarri dhe mjete të forta.

“Aty kanë qenë varrezat e të parëve tanë, janë mbi 40 varreza shqiptare. Para disa dite ato janë dëmtuar shumë, disa me mjete të forta, e disa varreza edhe me armë zjarri,” tregon Nokshiqi.

Dëmtimi shihet edhe në fotografitë që ai i ka dërguar në kallxo.com.

Nokshiqi thotë se rastin e dëmtimit e ka lajmëruar në policinë e Plavës së Malit të Zi, djali i tij Muja.

Mujë Nokshiqi shpjegon se për varrezat e dëmtuara është ankuar në polici më 16 gusht të këtij viti.

“Policia ka dalë në vend të ngjarjes në orën 18:00 [të 16 gushtit],” thotë ai.

BIRN-i ka tentuar të kontaktojë me telefon dhe u ka shkruar zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi në lidhje me dëmtimin e këtyre varrezave, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare mes tyre më 26 gusht 2015 në Vjenë.

Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi e ratifikuan këtë marrëveshje më 12 tetor 2015, ndërsa në Kosovë seanca e Kuvendit ku pikë e rendit të ditës është ratifikimi i demarkacionit është caktuar më 1 shtator.

Në ditën kur në Kuvend do të diskutohet dhe miratohet ose jo marrëveshja e demarkacionit, Lëvizja Vetëvendosje” ka paralajmëruar protestë.

Marrëveshja e demarkacionit po kundërshtohet nga partitë opozitare dhe disa ekspertë, ndërsa po mbrohet nga krerët e shtetit, Komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi dhe disa ekspertë tjerë.

Zyrtarë të Malit të Zi vazhdimisht kanë thënë se mospajtimet e subjekteve politike në Kosovë në lidhje me demarkacionin janë çështje të brendshme të Kosovës.

Kosova si kusht për liberalizim të vizave e ka nga Komisioni Evropian ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit. /kallxo.com/

Exit mobile version