Telegrafi

Demiri: Kërkesat tona nuk janë kusht për vota, ne i kemi mbështetur gjithmonë institucionet e Kosovës

Foto: Ridvan Slivova

Përfaqësuesi i koalicionit VAKAT, Rasim Demiri pas takimit që pati sot në Kuvendin e Kosovës me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani si dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti, tha se njëra ndër kërkesat e tyre ka qenë dhe është që të formohen komunat boshnjake në Kosovë, por që ky nuk është kusht për të votuar Qeverinë Kurti 2.

Demiri u shpreh se ata gjithmonë i kanë mbështetur institucionet e Kosovës dhe edhe kësaj here beson se do të veprojnë njëjtë.

Ai tha se nuk kanë folur për pozitat, por për programin, për të cilin do të vazhdojnë të flasin gjatë ditëve në vijim.

“Siç e dini ne kemi mbështetur gjithmonë institucionet, besoj se edhe tash do të bëjmë njëjtë. Pa marr parasysh që nuk kemi folur për pozitat, kemi diskutuar për kërkesat tona për komunitetin boshnjak. E kemi lënë edhe një takim me kryeministrin”, tha Demiri.

Foto: Ridvan Slivova

Kërkesat të cilat i kanë pasur, Demiri tha se nuk janë kusht, por që janë kërkesa të ripërsëritura në vazhdimësi.

Demiri tha se gjatë javës së ardhshme pritet të votohet për Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin.

“Kërkesat nuk janë kusht, nuk kemi folur konkretisht as për vota, por kemi folur për programin, fokusi ka qenë aty, te programi për të cilin është edhe vet kryeministri shumë i interesuar. Javën e ardhshme presim të kemi të trija vendimet për zgjedhjen e parlamentit, qeverisë edhe presidentit. Ne do të diskutojmë me koalicionin dhe pastaj do të tregojmë”, u shpreh Demiri para medieve. /Telegrafi/