Drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 euroshit për muajin prill për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët.
Demi me anë të një shkrimi në Facebook ka pyetur se nëse Qeveria ka për synim t’i ndihmoj grupet e cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, atëherë përse të futen me një thes edhe ata që kanë paga të larta.
“E pse? Nuk zmbrapsen kërkesat populliste për paga e pensione, duke marr vendime po aq populliste. Nëse Qeveria ka synim t’iu ndihmoj grupeve të cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i fut të gjithë me një thes? Pse me i marr 100 euro si ata 2 për qind e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale? Përse me marr subvencionim të njëjtë si studentët që banojnë në konvikte, si studentët që shkojnë në ligjërata me Range Rover? Përse këto së paku 70 milionë euro që do ju ndahen në prill të gjithëve, nuk shkojnë në projekte zhvillimore që munden të garantojnë punësim të qëndrueshëm ose me për të synuar atë 20 për qind të popullsisë që jeton në varfëri, apo me më pak 1.85 euro në ditë?”, ka pyetur Demi.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro. /Telegrafi/