Telegrafi

“Dëme të konsiderueshme materiale” – policia deklarohet rreth djegies së fabrikës në Podujevë

Fabrika për përpunimin e mjedrave “Kastrati” në fshatin Kërpimeh të Podujevës, është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 11:00.

Lidhur me këtë rast nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Telegrafin se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.

“Rreth orës 11:00 është pranuar informata për një zjarr në një objekt në fshatin Kërpimeh të komunës së Podujevës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve të konsiderueshme materiale”, kanë deklaruar nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Digjet një fabrikë në Podujevë

Më tej policia ka theksuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Ndryshe Pronari i kësaj fabrike, Valon Kastrati në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se shkaktar i zjarrit ka qenë rryma.

Ai ka thënë se vlera e dëmit të shkaktuar është diku mbi 3 milionë euro.

Lexo po ashtu Flet pronari i fabrikës që u dogj në Podujevë: Shkaktar është rryma, vlera e dëmit rreth 3 milionë euro

“Shkaktarë është rryma, vlera e dëmit është diku rreth 3 milionë euro. Policia dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes. Zjarri nuk është shuar ende”, ka thënë Kastrati.

Ai ka treguar se në këtë fabrikë kanë qenë të punësuar 22 punëtorë. /Telegrafi/