Site icon Telegrafi

Demarkacioni së shpejti në Kuvend, opozita druan për përshkallëzim

Qeveria e Kosovës pritet që me një afat të përshpejtuar ta dërgojë në Kuvend Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke përmbushur kështu një prej kushteve të rëndësishme për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson që në kuadër të premtimeve që ka bërë qeveria, do të dërgohet në afat rekord për ratifikim marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Qeveria beson që në afat rekord, ashtu si janë dhënë edhe premtimet kundrejt zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të përfundojë edhe çështjen e demarkacionit. Ky vendim do të jetë si rezultat i përmbylljes së gjithanshme të përgatitjeve juridike profesionale dhe politike të cilat vetëm kanë filluar.”
“Ne kemi një synim, ashtu siç janë dhënë edhe premtimet nga zyrtarët e BE-së ,që çështja e liberalizimit të vizave do të trajtohet brenda 90 – 100 ditësh, ashtu siç kanë thënë, ta dërgojmë edhe ne këtë çështje në Kuvend”, ka theksuar Abrashi.

Mësohet ndërkaq se autoritetet në Prishtinë, Projektligjin për ratifikim mund ta dërgojnë në Kuvend përpara se Këshilli i Bashkimit Evropian ta diskutojë çështjen e liberalizimit të vizave dhe të hapë rrugën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Kjo, thonë autoritetet në Kosovë, mund të bëhet menjëherë pas dorëzimit të raportit të raportueses së Parlamentit të Evropës për liberalizim të vizave, Tanja Fajon.

Por, ndërkohë në Prishtinë nuk është proceduar ende projektligji për ratifikim. Demarkacioni me Malin e Zi nuk do të jetë në pikë ditë as në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Demarkacioni nuk është pikë e rendit të ditës, pikat e rendit të ditës i kemi përcaktuar”, ka thënë shkurt Veseli, pasi që ishte pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mbetet çështja kryesore për fillimin e zbatimit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, kishte theksuar se pa zgjidhjen e çështjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi, nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Por, për opozitën çështja e demarkacionit mbetet ende e pazgjidhur. Ata e kanë kundërshtuar prej muajsh këtë proces dhe vazhdojnë të kërkojnë rinegociimin e saj në Bruksel.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është bërë keq dhe kjo marrëveshje si e tillë duhet të kundërshtohet dhe duhet të korrigjohet.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kuptojnë seriozitetin e çështjes dhe nuk duhet të nguten dhe ta ratifikojnë një marrëveshje e cila e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë. Çështja është serioze dhe nuk bëhet fjalë këtu për ratifikimin e një marrëveshje që cakton kufijtë e “mahallave”, por kufijtë shtetëror të Kosovës”, ka thënë Nitaj.

Ai thekson se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se akoma ka hapësirë që kjo marrëveshje të kthehet në Bruksel dhe të negociohet me palën malazeze, në mënyrë që të korrigjohet dhe pastaj të ratifikohet në Kuvend.

“Çdo përpjekje tjetër e pushtetarëve të Kosovës që këtë çështje ta kalojnë sikur gjithçka është në rregull unë druaj se do të reflektojë shumë keq edhe në interesin e Kosovës dhe të Malit të Zi. Unë druaj që kjo do të ketë reflektime negative edhe në situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Mal të Zi”, thekson Nitaj.

Në anën tjetër, edhe subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, kundërshton ratifikimin e marrëveshjes.

Frashër Krasniqi, zëdhënës i këtij subjekti politik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në momentin kur kjo marrëveshje do të vijë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, ata do të përdorin forma të ndryshme që ta pamundësojnë ratifikimin e saj.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë këtë marrëveshje brenda Kuvendit dhe jashtë tij do të protestojë në mënyrë më intensive sesa në të kaluarën, në mënyrë që mos ta lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshje”, thekson Krasniqi.

Përveç marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, e cila tani e sa kohë nuk është arritur të futet në rend dite në ndonjërën nga seancat parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka shënuar ngecje edhe në procedimin e shumë projektligjeve tjerë që konsiderohen me interes për shtetin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pranuar kritikat që i janë bërë nga shoqëria civile për dinamikën e ulët të punës së Kuvendit dhe numrin e ulët të seancave parlamentare të mbajtura gjatë këtij viti.

“Kush na kritikon, veçanërisht në vitin e fundit të mandatit tonë, ka të drejtë, nuk jemi duke punuar aq sa duhet, por atë që më duhet të them është se do të punojmë edhe në mënyrë më intensive, veçanërisht pas liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimiit, ne duhet të japim një perspektivë në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha institucionet e zhvillimit ekonomik”, ka theksuar ai.

Përveç kriterit për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova duhet të përmbushë edhe një kriter tjetër që është thellimi i luftës kundër krimit të organizuara dhe korrupsionit.

Exit mobile version