Telegrafi

Dema: Presim të kompletohet shpejt bordi drejtues i UP-së (Video)

Rektori i Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, në emisionin “Përballje” ka folur  për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të UP-së, e që ishin të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MAShT), si dhe për çështjen e bursave të studentëve.

Rektori Dema, që ishte emëruar pas largimit të rektorit Ramadan Zejnuallahu, ka folur në emision për çështjen e funksionimit të bordit të UP-së pas shkarkimit të katër anëtarëve të këtij bordi, që ishin të emëruar nga MAShT-i.

Sipas tij, Këshilli drejtues është organi më i lartë në UP, dhe mos kompletimi i tij do të ketë pasoja në aprovimin buxhetit, në miratimin e programeve të ndryshme të prokurimit dhe shumë aspekte tjera.

“Shpresoj që ministri do ta kompletojë dhe ne të vazhdojmë angazhimin tonë, presim që të funksionalizohet sa më shpejt, sepse përndryshe do të mbesim mbrapa me shumë punë”, ka deklaruar Dema.

Lexo po ashtu Dema: Në UP nuk ka avancime të profesorëve me publikime në revista të dyshimta (Video)

MAShT kishte emëruar anëtarët e saj në bordin e UP-së në vitit 2016, ndërsa anëtarë të këtij bordi ishin Ismet Salihu, Ahmet Latifi, Alajdin Abazi dhe Sigurd Hollinger.

Rektori Dema ka thënë se kishte keqkuptime sa i përket vendimit për zvogëlimin e shumës së bursave dhe se nuk kishin qëllim të dëmtonin studentët.

“Ka qenë vendim i Këshillit Drejtues, dhe ideja e tyre ka qenë që meqë janë reduktuar çmimet e akomodimit në konvikte dhe ushqimit në mensën e studentëve, që një pjesë e mjeteve të shfrytëzohen për aktivitete tjera, por jo duke dëmtuar studentët…” ka thënë Dema.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafi me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë nga ora 20:10 në RTV Dukagjini e Telegrafi. /Telegrafi/