Telegrafi

Delegacioni i OEK-ut në Serbi, pritet takimi edhe me Vuçiqin

Delegacioni i Odës Ekonomike të Kosovës, të cilin e udhëheq kryetari i saj Safet Gërxhaliu, sot ka filluar vizitën dyditëshe në Serbi në kuadër të së cilës do të bisedohet me disa nga kompanitë më të rëndësishme serbe për, siç njofton gazeta Blic e Beogradit, modelet operative të bashkëpunimit afarist, transmeton Koha.net.

Në qendër të bisedimeve është realizimi i projekteve konkrete dhe lidhja e kompanive që i bashkojnë këto dy oda,

“Vizita në Beograd tregon se ka vullnet dhe gatishmëri të bashkëpunohet për të ardhmen, për interesat e përbashkëta ekonomike dhe anëtarësimin në BE, që është edhe qëllim i dy ekonomive.

Atje ku mbretëron ekonomia, nuk ndihet era e barutit. Askush nga ne nuk kërkon të harrohen ngjarjet nga e kaluara, por zgjidhja e problemeve duhet kërkuar në vendosjen e marrëdhënieve ekonomike e me partneritet ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Kështu edhe vetes e edhe Evropës i tregojmë se jemi të aftë t’i shohim interesat tona, të kapërcejmë të kaluarën e hidhur dhe përmes bashkëpunimit të përparojmë”, është thënë në takim.

Kryetari i Odës ekonomike të Serbisë Marko Çadezh dhe kryetari i OEK kanë theksuar se në ekonominë e dy palëve ka vullnet e gatishmëri për bashkëpunim e bisedim.

“Vizita e delegacionit tonë, në të cilin janë zyrtarë ekonomikë, bisedimet me kolegët serbë si dhe pritja te kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe te ministri i ekonomisë Zhelko Sertiq, nuk do të dominojë vetëm politika por edhe ekonomia. Në vend të mospajtimeve duhet të identifikojmë interesat e përbashkëta të qytetarëve tanë dhe të thellojmë bashkëpunimin tonë”, ka thënë Gerxhaliu.