Site icon Telegrafi

Del Bosque: Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, e ka tejkaluar tashmë Maradonan

Trajneri fitues i Kupës së Botës me Spanjën në 2010 dhe fituesin e Euro në 2012, Vicente del Bosque ka trajnuar disa nga lojtarët më të mirë në botë, por sipas tij më i miri i të gjitha kohërave është ylli i Barcelonës, Lionel Messi.

Debati për më të mirin e kësaj epoke, por edhe i të gjitha kohërave gjithmonë është i nxehtë mes tifozëve dhe njerëzve të sportit.

Pjesë e këtij debati është bërë edhe trajneri i njohur spanjoll, Del Bosque, i cili ka zgjedhur Messin si më të mirin e të gjitha kohërave.

Lexo po ashtu Lionel Messi është zyrtarisht golashënuesi i katërt më i madh në historinë e futbollit

“Messi është një lojtar nga lagjja, nga rrugët. Ai ka një vizion të lojës, një dominim dhe një driblim që nuk shihet në botën e sotme. Ai e bën atë atje ku duhet ta bëjë, afër ose në zonën e penalltisë”, ka thënë fillimisht Del Bosque për TyC Sports.

“Ai aktualisht është lojtari më i mirë në botë”.

Del Bosque gjithashtu komentoi mbi debatin e pafund rreth krahasimit të dyshes argjentinase, Messi dhe Diego Maradona.

“Messi ishte një trashëgimtar i madh i Maradonas dhe unë mendoj se ai tashmë e ka tejkaluar masterin”.

“Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Ndoshta dikush mund ta tejkalojë atë në të ardhmen”, përfundoi ish-trajneri i Spanjës. /Telegrafi/

Exit mobile version