Telegrafi

Deklarata skandaloze e përfaqësuesit të Dumës ruse për tërmetin që goditi Turqinë e Sirinë: Nuk jemi Kryqi i Kuq, nuk mund t’i ndihmojmë të gjithë

Në televizionin publik të Rusisë që financohet kryekëput nga Kremlini, njëri nga përfaqësuesit e Dumës ruse ka komentuar situatën aktuale pas tërmetit në Turqi dhe Siri.

Ai theksoi se Rusia do të ndihmojë siç edhe ka premtuar, por se nuk e kupton se pse dikush duhej të ndjejë dhimbje “kur as turqit e as sirianët nuk janë duke luftuar në anën e rusëve në Ukrainë”, transmeton Telegrafi.

“A më vjen keq? Po, më vjen keq si qenie njerëzore. Por nuk ndjejë më shumë dhimbje për ta sesa për qytetarët e mi. Rusisë çdo ditë i vdesin burrat në këtë luftë”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Ukrainasit pretendojnë se gjatë 24 orëve të fundit kanë vrarë 1.030 ushtarë rusë, shifër rekorde nga fillimi i luftës

E këtë pjesë nga debati politik e ka shpërndarë në Twitter, këshilltari i Ministrit të Brendshëm Ukrainas, Anton Gerashchenko, me përshkrimin: “Propaganda ruse vazhdimisht po tregon se çfarë në të vërtetë janë rusët”.

Videoja fillon me përfaqësuesin e Dumës i cili flet se në Turqi dhe Siri, kanë humbur jetën shumë njerëz dhe se Rusia do të dërgojë ndihmën e premtuar, duke përmendur edhe deklaratën e drejtorit të CIA-s amerikan, William Burns, i cili së fundmi tha se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë përcaktues në luftën në Ukrainë, duke theksuar se kjo e brengosë më shumë sesa viktimat e tërmetit.

“Natyrisht se duhet t’i ndihmojmë. Ne nuk jemi Kryqi i Kuq, nuk mund të gjithë t’ju ndihmojmë. Fillimisht duhet të mendojmë për bashkëqytetarët tanë”, shtoi ai. /Telegrafi/