Telegrafi

Deklarata emocionuese e Messit: Gruaja dhe fëmijët filluan të qanin kur i thash se dua të largohem, por kurrë nuk do të dalë në gjyq kundër klubit që dua

Lionel Messi . (Photo by David Ramos/Getty Images)

Lionel Messi ka konfirmuar se do të vazhdoj të qëndroj tek Barcelona, së paku edhe për një vit.

Ylli argjentinas ka konfirmuar në një intervistë për Goal se ka vendosur të qëndrojë në Camp Nou, pasi nuk dëshiron të shkoj në gjyq me klubin që do, Barcelonën.

“Isha i sigurt se isha lojtar i lirë, pasi presidenti kishte thënë që në fund të sezonit mund të vendosja, ndërsa tani thonë se duhej ta kisha thënë para 10 qershorit, kur atëherë po luftonim për kampionatin dhe ishim në mes të këtij virusi m…. kësaj sëmundje që ndryshoi çdo datë”.

Lionel Messi. (Photo by David Ramos/Getty Images)

“Kjo është arsyeja pse do të vazhdoj në klub. Tani do të qëndroj pasi presidenti më tha që mënyra e vetme për t’u larguar është duke paguar klauzolën 700 milionë euro, që është e pamundur, përndryshe do të shkonim në gjyq”.

“Nuk do të shkoj asnjëherë në gjyq kundër Barcelonës, pasi është klubi që dua, që më ka dhënë gjithçka që kam arritur, është klubi i jetës time. Barça më dha gjithçka dhe unë i dhashë gjithçka, nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje që ta hedh në gjyq”, deklaroi Messi.

Lionel Messi. (Photo by David Ramos/Getty Images)

33-vjeçari ka zbuluar se kur njoftoi gruan dhe fëmijët e tij se do të largohej, ata shpërthyen në vaj.

“Kur i komunikova vendimin që kisha marrë familjes time, ishte e tmerrshme. Gruaja dhe fëmijët qanin, pasi ata nuk donin të largoheshin nga Barcelona, nuk duan të ndryshojnë shkollë”.

“Unë vendosa se dëshiroja të jem konkurrues për tituj e për Ligën e Kampionëve, të paktën të konkurroj e të mos ndodhë më ajo e Romës, Liverpoolit apo e Lisbonës”, tha Messi.

Kapiteni i kataluansve ka deklaruar se çdo vit ka pasur mundësi të largohet nga Barcelona dhe të fitojë shumë më shumë para.

“Kam pasur mundësi të largohem nga Barcelona shumë here. Çdo vit mund të largohesha nga Barcelona e të fitoja më shumë para se te Barcelona. Thjesht tani ndjeja se kisha nevojë për një ndryshim”, deklaroi Messi.

Argjentinasi tani ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2021. /Telegrafi/