Eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, ka reaguar sërish lidhur me deklaratën e fundit të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili tha se Kosova ishte e paaftë për t’u sjellë në mënyrë evropiane për depëshkallëzimin e tensioneve në veri.
Eurodeputeti gjerman ka vazhduar të jetë kritikues ndaj zëdhënësit të BE-së, duke thënë se gjuha të cilën po e përdor Stano përbën skandal në vete
“Kosova, thotë ai [Stano], ka treguar “paaftësinë për të filluar të sillet në mënyrë evropiane”. Si guxon burokrati të flasë për qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës apo të ndonjë vendi tjetër?”, shkroi Bütikofer në një postim në platformën X, duke përmendur edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, transmeton Telegrafi.
The language, which @ExtSpoxEU uses, constitutes a scandal in itself! Kosovo, he says, has shown the "inability to start behaving in a European manner". How dare the bureaucrat speak like that of the democratically elected government of Kosovo or any other country? @JosepBorrellF https://t.co/gCtXgreH9x
— Reinhard Bütikofer (@bueti) August 12, 2023
Bütikofer ka reaguar edhe të premten ndaj deklaratave të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, lidhur me masat ndaj Kosovës, duke e akuzuar Borrellin, për qasje të njëanshme dhe të padrejtë në raport me Kosovën.
Ai ka kërkuar që Borrell të mbahet përgjegjës në Parlamentin Evropian për deklaratën e Stanos, për të cilin ka thënë se është zëri i shefit të tij.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, të enjten tha se ndërmarrja e veprimeve ndaj Qeverisë së Kosovës ka ndodhur për shkak “të paaftësisë të autoriteteve kosovare që të sillen në mënyrë evropiane”, duke mos treguar se kur dhe nëse do të hiqen ato.
“Dhe ajo që kemi bërë së fundi në dritën e eskalimeve aktuale është ndërmarrja e masave kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë së tyre që të nisin të sillen në një mënyrë europiane në deeskalim dhe për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për deeskalim”, tha Stano.
Ndaj kësaj deklarata reagoi eurodeputeti Bütikofer, duke bërë përgjegjës Borrellin për deklaratat e Stanos.
“Çfarëdo marrëzie që shqipton zëdhënësi i Bashkimit Evropian, ai është zëri i zotërisë së tij dhe Josep Borrell duhet të mbahet përgjegjës nga Parlamenti Evropian për një politikë krejtësisht të dështuar, shumë të njëanshme dhe të padrejtë: qeverinë autoritare serbe që ai ‘përkëdhel’, dhe Kosovën që ai kritikon dhe sanksionon”, ka shkruar Bütikofer, në platformën X (ish Twitter), transmeton Telegrafi.
Ndaj deklaratës së Stanos ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
Muja tha se respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit, nuk qenka sjellje evropiane e si e tillë qenka ndëshkuar nga BE. /Telegrafi/