Javën që lamë pas për vizitë në vendin tonë ishin dy senatorët amerikanë të cilët u njoftuan për situatën pas sulmit terrorist në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës.
Po ashtu, në javën që po lëmë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sërish përmendi çështjen e veriut dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i.
Ndërkaq, gjatë javës u publikua edhe në analizë e institutit “Octopus”, ku theksohet lidhja e grupit terrorist me shtetin e Serbisë dhe tregohet se ku ky grup i ka mbajtur stërvitjet.
Senatorët amerikanë në Kosovë
Senatorja Jeanne Shaheen dhe senatori Peter Welch kanë qëndruar për një vizitë në Kosovë, për siç u tha se të njihen për së afërmi me situatën pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen në një konferencë për media tha se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe për këtë tha se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë.
Ajo tha se derisa bota po përballet me shumë sfida, si në Ukrainë, Lindje e Mesme, duhet siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës nga Ballkani.
“E rëndësishme që të bëjmë krejt çfarë të mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon për të siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës dhe konfliktit nga ky rajon”, tha senatorja.
“Jemi këtu për të mbështetur Kosovën… Një shtet që SHBA me shumë krenari e ka mbështetur përgjatë viteve… ne i kemi vlerat e njëjta dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah juve”, tha ajo.
Ndërkaq, e para e shtetit, Vjosa Osmani Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me dy senatorët amerikanë kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri, transmeton Telegrafi.
“Senatorët i informova për rrjedhën e ngjarjes, për dëshmitë e siguruara nga institucionet tona dhe si dhe hapat që Kosova në koordinim me partnerët e saj që po ndërmerrë për të tejkaluara sfidat e sigurisë. Synimet e këqija të Serbisë nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ajo.
Tutje, ajo tha se “regjimi i Vuçiqit jo që nuk distancohet nga veprimet terroriste, por ka vendosur që të ju ofrojë mbrojtje”.
“Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët në Kosovë. Do të kërkojmë drejtësi për heroin Afrim Bunjaku. Republika e Kosovës është e palëkundur”.
Ndërkaq, pas takimit të senatorëve me kryeministrin Albin Kurti, ky i fundit tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Kryeministri tha tutje se duhet parandaluar sulmet e mundshme nga Serbia.
“Institucionet e sigurisë kanë vërejtur se ka pasur rrezik për sulme nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjitha komuniteteve, të gjitha përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpritet, duhet të mbahet përgjegjëse Serbia…, tha ai.
“Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Serbia duhet të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë”, u shpreh Kurti
KFOR-i të marrë nën kontroll veriun, Rama: Nuk ka forca të mjaftueshme, sovraniteti i Kosovës mund të lëndohet nga rruga zhgënjyese që ka marrë vendi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë sërish ka folur për situatën në veri të vendit dhe për deklaratën e tij të pak dite më parë lidhur me marrjen nën kontroll të veriut të Kosovës nga KFOR-i.
Rama thotë se kërkesa e tij jo vetëm që nuk e kërcënon Kosovën, por siguron paqen dhe stabilitetin në veri derisa të gjendet një zgjidhje përmes dialogut dhe në fund të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës.
Ai tha se ndonëse e cilësojnë si tradhtar sa herë që thotë diçka e bind se ka të drejtë, sepse Kosovën sipas tij e përdorin politikisht.
“Sa herë aktakuza ndaj meje rikthehen akuzat si vëllai i Vuçiqit kthehen edhe ato për Evropën, duke e cilësuar si kuçkë e vjetër që na ka lënë në baltë gjithnjë, si ata enveristët. Këtyre thirrjesh u shtuan edhe piskamat për sovranitetin e shtuat të atyre pasi unë thashë që NATO të marrë në kontroll kufirin,” tha Rama.
“E ngatërrojnë siç e ngatërroi parafolësi me diçka tjetër, unë këtu flas për përgjegjësinë absolute për ta mbajtur nën kontroll kufirin gjë që policia e Kosovës nuk e bën dot objektivisht. Ndërkohë që këtë e thonë edhe drejtuesit e lartë, sepse nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar. Por ja që si gjithnjë, edhe kur unë them të njëjtën gjë, për plot të armatosur në Facebook sa andej e këtej jam po aq Esad Pashë sa edhe kur nuk them të njëjtën gjë për Beogradin. Kjo mua më siguron se kam thënë gjënë e duhur”, shtoi Rama.
Rama theksoi më tej se sovraniteti shtetëror i Kosovës mund të lëndohet nga rruga zhgënjyese në të cilën ka hyrë ajo.
Analiza e institutit “Octopus” – ku i mbajti trajnimet grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit?
Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, gjatë javës prezantoi analizën e radhës rreth sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq në këtë analizë tregon lidhjet e grupit me Serbinë për sulmin terrorist.
Në këtë analizë të institutit “Octopus” thuhet se Serbia vazhdon të jetë rreziku më i madh për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, duke konsideruar qasjen armiqësore, financimin e strukturave paralele dhe organizative terroriste që veprojnë brenda territorit të Kosovës, ngritjen dhe shtrirjen e bazave ushtarake përgjatë gjithë vijës kufitare mes dy shteteve, luftës hibride, e sidomos dezinformimit që Serbia ushtron në Kosovë.
Në këtë analizë thuhet se pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të 2022, Serbia ka shtuar aktivitetet hibride dhe agresive kundër Kosovës, duke synuar kërcënimin e sigurisë në Kosovës dhe rajon, ndërlidhur me pretendimet territoriale, mbajtje e situatës në tension të vazhdueshëm.
“Që nga viti 2022 me intensitet të shtuar janë ngritur kapacitetet kërcënuese dhe destabilizuese në Kosovë, me theks të veçantë në katër komunat në veri.
Po ashtu thuhet se janë intensifikuar rekrutimet dhe financimet në kuadër të strukturave ilegale, kriminale tashmë të shpallura terroriste ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’”, thuhet ndër të tjera në këtë analizë.
“Octopus” duke vënë në pah bërë lidhjet e grupit terrorist me Serbinë, tregon se ku i kanë mbajtur trajnimet këta pjesëtarë të këtyre formacioneve ilegale.
“Pjesëtarët e këtyre formacioneve ilegale mbanin trajnime të rregullta në Serbi, në baza të ushtrisë serbe dhe lokacione tjera përfshirë: poligonin kompleksit ushtarak ‘Pasuljanske Livade’, në të cilin trajtohen edhe pjesëtarët FAS, terrenin stërvitor të FAS në Peshter, në afërsi të Tutin/Serbi, poligonin e kazermës ushtarake në Rashkë, në Qendrën e trajnimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ‘Mitrovo Polje’, që gjendet në bjeshkët afër Vernjaçka Banja dhe Kopaonikut”, thuhet në analizë.
Në përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, përkatësisht provokimin e trazirave në veri të Kosovës si dhe në aspiratat për aneksimin eventual të saj, në këtë analizë thuhet se ka influencë edhe Federata Ruse përmes raporteve sistematike me Listën Serbe.
“Pikë kthyese e ngjarave të fundit shënon padyshim paraqitja publike e Millan Radoiçiqit, më 5 korrik 2022, ku përmes një video sfidon hapur autoritetet e Republikës së Kosovës dhe paralajmëron se tani më nga arratia do t’i shtynte përpara idetë e tij,
Ai në fjalimin e tij të shkurtër thotë që ‘tani më nuk ka kthim prapa’”, thuhet në vazhdim të analizës. /Telegrafi/