Javën që shkoi siguria në vend, masat e BE-së ndaj Kosovës dhe çështja e Asociacionit ishin temat që u diskutuan përgjatë pesë ditëve.
E para e shtetit, Vjosa Osmani ka folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se ka tendenca të keqpërdoren për ta kushtëzuar Kosovën.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka dalë me disa pika lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë, gjersa ka thënë se vitin që vjen mund të shkruaj një propozim për draft-statutin e Asociacionit.
Po ashtu, gjatë javës është marr nën menaxhim kompleksi “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.
Osmani: Ka tendencë që masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje të ndryshme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë të premten se masat që BE-ja ia pati vënë Kosovës po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit.
Osmani gjatë konferencës pas takimit me presidentin bullgar Rumen Radev, tha se Kosova nuk e ka pushtuar askënd dhe masat duhet të hiqen.
“Masat do duhej të hiqeshin moti. Në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar brenda territorit të saj. Nuk e ka pushtuar askënd që të meritonte masa të tilla jo proporcionale”, ka thënë Osmani.
Ajo tha se krejt çka është kërkuar nga Kosova për deeskalim janë realizuar dhe masat veç se është dashur të hiqeshin, pasi siç tha ajo po ndikojnë tek qytetarët e Kosovës.
Presidentja po ashtu theksoi se ka tendencë që masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga ajo për të cilën ishin vendosur në fillim.
“Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse në fakt kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ. Nëse dikush mendon që kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat duhet të hiqen pasi Kosova i ka plotësuar kërkesat e saj”, ishte shprehur ajo.
Kurti: Do ta shkruaj një draft modern evropian të Asociacionit, Brukseli të merret më tepër me Vuçiqin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka dhënë disa pika për normalizimin e raporteve me Serbinë në vitin 2024, ndërkaq po ashtu është shprehur se mund ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe gjatë vitit që po vjen.
Si pikë të parë, kryeministri ka shkruar se “prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”.
Në pikën e dytë ai ka pohuar se konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë dhe se Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovë, transmeton Telegrafi.
“3)…Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”, vijon reagimi i Kurtit.
Pika e katërt thotë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese vendit tonë.
“4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”.
Sa i përket draft-statutit për Asociacion, Kurti thotë se mund ta shkruajë një draft-modern evropian.
“5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka pohuar ai.
Tutje, si pikë të gjashtë, Kurti ka shkruar se “Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”.
“7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Brnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”, përfundon postimi i kryeministrit.
Marrja nën menaxhim e kompleksit “Rajska Banja” nga AKP
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, pasi prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës dhe të njëjtin ia ka lëshuar me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha drejtori menaxhues i kësaj agjencie, Arben Limani.
“Bordi i drejtorëve [të AKP-së], me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme [të Kosovës], për nevoja dhe interes publik të Ministrisë, ka marrë vendim që këto objekte të jepen me qira për shërbime të MPB-së. Pra, për shërbimet e tyre publike për të cilat ne nuk kemi ndonjë informatë”, tha Limani, duke shtuar se vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 14 dhjetor.
Lidhur me këtë, ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka deklaruar se kjo është mësim për të gjithë ata që duan të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.
“Pronare e këtij kompleksi është AKP dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi, pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, ky është mësim për të gjithë ata që duan të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka shtuar se sa i përket menaxhimit të atij kompleksi është rezultat i bashkimit të dy ministrive MPB dhe ish-ministrisë së Administratës Publike.
“Ish- ministria e Administratës ka Departamentin e menaxhimit të objekteve të llojeve të tilla në pronësi të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim këtë objekt”, tha Sveçla. /Telegrafi/