Site icon Telegrafi

Deklarata e Millanoviqit që gëzoi Serbinë e irritoi Kosovën, deputetja shqiptare në Kroaci: Presim që presidenti të kërkojë falje

Deputetja shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Prljaskaj, i është drejtuar Zyrës së Presidentit në Kroaci, Zoran Millanoviq, me kërkesën që i njëjti të distancohet nga deklarata e tij për Kosovën dhe të kërkojë falje publike.

Presidenti i Kroacisë ka bërë një koment lidhur me Kosovën, duke tërhequr një lloj paralele mes Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe Kosovës që sipas tij është “marrë” nga Serbia.

Por, Lekaj-Prljaskaj në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, tha se Millanoviq duhet të kërkojë falje dhe se është në pritje që ai ta bëjë një gjë të tillë edhe pse duke njohur karakterin e tij vështirë se ai do ta bëjë këtë publikisht.

Lexo po ashtu A është ky skandal diplomatik nga presidenti kroat? Millanoviq: Kemi aneksuar Kosovën, është marrë nga Serbia

Në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, deputetja shqiptare theksoi se nuk është hera e parë që presidenti kroat bën të tilla deklarata kontroverse në publik.

Deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj-Prljaskaj, gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

“Presidenti kroat (Millanoviq) kohëve të fundit ka deklarata të tilla kontroverse. Kjo edhe neve dje na befasoi, por duke e njohur karakterin e tij edhe nuk na befasoi shumë. Jam munduar që të mos jem në nivelin e tij, por të ia shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur njëjtë si shteti kroat sepse i kishte takuar ish-Jugosllavisë”, u shpreh ajo transmeton Telegrafi.

“Presidenti ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë për të kërkuar falje që është karakteristikë për të jo vetëm për këtë deklaratë, por edhe për shumë të tjera. Kam kërkuar nga zyra e tij që të dalë me një deklaratë publikisht dhe jemi në pritje. Nesër gjatë ditës do t’i drejtohem në Parlament dhe do të dalë me një deklaratë e do të kem edhe mbështetjen e kolegëve të mi deputetë që nuk e pëlqejnë këtë gjë që tha presidenti”.

Duke komentuar deklaratat që kanë bërë bujë më shumë në Serbi, Lekaj-Prljaskaj tutje tha se është një gëzim i shkurtër për Serbinë.

“Kjo deklaratë është gëzim i shkurtër për Serbinë duke e parë që politika e Kroacisë është mbështetëse ndaj Kosovës. Mendoj se deklarata e kryeministrit (Pllenkoviq) e ka një peshë edhe më të madhe sesa ajo e presidentit. Po ashtu deklarata e deputetëve kroatë tregon se me të vërtetë Kosova ka mbështetje të fortë nga miqtë e saj nga Kroacia. Presidenti ynë nuk është kontrovers vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj shumë rasteve politike. Nuk dua të flas shumë për profilin e tij”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, kjo çështje nuk do t’i bëjë dëm të madh marrëdhënieve të Kosovës e Kroacisë sepse kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, menjëherë është distancuar duke rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të Kroacisë për Kosovën.

“Përplasjet mes kryeministrit dhe presidentit nuk janë as të parat e as të fundit dhe presidenti nuk është vendimmarrës, por është kryeministri. Plenkoviq dje ka dal me një deklaratë ku thotë që Kosovën e pranon si shtet të pavarur dhe ka mbështetjen e fuqishme të shtetit kroat e kjo nuk i ndryshon raportet mes Kroacisë dhe Kosovës. Tash kemi mbetur duke pritur se si do të reagojë presidenti edhe pse duke e njohur karakterin e tij, nuk presim diçka pozitive. Megjithatë, do të kërkojmë që të minimizohet kjo deklaratë e tij”, përfundoi ajo./Telegrafi/

Exit mobile version