Telegrafi

Deklarata e Kurtit për demarkacionin nxit reagim, Krivokapiq: Provokim dhe aspirata për ta cenuar integritetin e Malit të Zi

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se Qeveria paraprake në Mal të Zi ishte pro-ruse dhe se po presin qeverinë e re për të diskutuar demarkacionin ka nxitur reagimin e kryeministrit malazez në detyrë, Zdravko Krivokapiq.

Ky i fundit sot në një postim në Twitter deklaratën e Kurtit e ka quajtur provokim dhe të papranueshëm.

“Deklaratën e zotit Kurti e konsideroj një provokim dhe të papranueshëm, e cila shpall aspirata të rrezikshme duke cenuar integritetin territorial të Malit të Zi. Është interesant që nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kandidati antikushtetues për kryeministër Dritan Abazoviq”, ka shkruar Krivokapiq.


Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Qeveria paraprake në Mali të Zi ishte pro-ruse dhe presin qeverinë e re për ta diskutuar demarkacionin.

“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, ishte shprehur Kurti.

Lexo po ashtu ​Kurti: Qeveria paraprake në Mali të Zi ishte pro-ruse, presim qeverinë e re për ta diskutuar demarkacionin

“Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje Qeveria e re”.

“Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/