Telegrafi

I dehuri plagos me armë zjarri shokun në Fushë Krujë, më pas edhe veten

Plagosi me armë zjarri shokun e tij dhe më pas veten pasi ishte i dehur, vihet në pranga 25-vjeçari.

Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lokal ku 6 shokë në tavolinë dhe po festonin 25 vjetorin njërit prej shokëve. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Në pranga ka rënë edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për prishje të vendit të ngjarjes dhe fshehje të provave.

Arrestohet edhe një shtetas tjetër (shok i shtetasve të plagosur), për moskallëzim të krimit, ndërsa sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë me të cilën u krye plagosja.

“Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 25-vjeç, për veprat penale ‘Vrasja’, mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak’. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 24 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. K., 28-vjeç, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, rezulton se këta shtetas ishin ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në lokalin e shtetasit H. M., në Qerek Tapizë”, njofton policia.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. M., pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes. /Ora News/