Telegrafi

Dedaj: Programi në gjuhën angleze i Fakultetit Ekonomik të UP-së, i vetmi dhe më i fuqishmi në rajon

Tash është viti i pestë prej kur Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e ofron programin “Applied Economics and Management” – një program në gjuhën angleze për njohjen me studime themelore në ekonomi dhe menaxhment.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj ka treguar për Telegrafin se ky program ka ndihmuar në ndërkombëtarizimin e Fakultetit Ekonomik duke hapur dyer në shumë segmente, pasi që ky është program identik me programet e universiteteve të zhvilluara perëndimore, literatura është e njëjtë, ligjëratat janë në gjuhën angleze dhe studentët kanë mundësi më të mëdha për mobilitet ndërkombëtar.

Ai tregon se shumica e studentëve të këtij programi veçse kanë realizuar mobilitet akademik në vendet partnere, ku vetëm semestrin e kaluar 10 studentë e kanë kryer në Universitetin e Nices.

Përveç Universitetit të Nices, shumë studentë të këtij drejtimi kanë studiuar për një semestër edhe në universitetet tjera partnere në vende të ndryshme të botës, siç është Finlanda, Polonia, Franca, Austria, etj.

Sa i përket studentëve që diplomojnë në këtë program, dekani Dedaj thotë se ata janë në grupin e studentëve më të mirë të Evropës sepse gjithçka është njësoj: njohja e gjuhës angleze, kompetencat specifike, kompetencat gjenerike, shkathtësitë e prezantimit, puna ekipore, mobiliteti akademik në universitetet tjera, etj.

Një meritë të veçantë thotë se e kanë profesorët vendorë të cilët ligjërojnë në këtë program, e që një pjesë e madhe e tyre e bëjnë në baza vullnetare.

Ndryshe, fakulteti i inkurajon studentët që të aplikojnë në këtë program.

Fakulteti Ekonomik e ofron këtë program për nivelin bachelor dhe doktoratë, por është në proces edhe të akreditimit të nivelit master, ku do të bëhet lidhja vertikale e programeve ekonomike në gjuhën angleze. /Telegrafi/