Site icon Telegrafi

Dedaj: Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm në vetëdijesimin e qytetarëve për drejtimin e automjetit, për shoferët e rinj duhet të ketë poligon të sigurisë

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një intervistë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për vetëdijesimin e qytetarëve në drejtimin e automjeteve.

Dedaj ka thënë se qytetarët duhet të edukohen për drejtimin e automjetit, ky edukim sipas tij duhet filluar që nga klasa e parë.

“Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm, për shkak se për vetëdijesimin e qytetarëve duhet të jetë edhe sistemi i edukimit, tek ne arsimimi i vetëm që mund ta takojmë është tek auto-shkolla, kjo është ajo që neve na pengon më së shumti, për shkak se në mënyrë shkollore nuk i kanë marrë masat edukative që nga klasa e parë e deri në moshën 65 vjeçare, janë shkollat edukuese sa i përket drejtimit të automjeteve, në këtë formë mund të arrijmë edhe një masë preventive sa i përket faktorit njeri”, ka pohuar ai.

Dedaj tha se gjobat në Kosovë nuk ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve, pavarësisht asaj se sa janë të ashpërsuara.

“Gjobat janë mjaft të ashpërsuara në qoftë se krahasoni gjobat e Gjermanisë dhe të Kosovës, e shihni pastaj rrogën mesatare në Kosovë dhe Gjermani, dhe ne kemi këtu gjobat trefish më të mëdha se atje. Edhe pse unë kam thënë gjithmonë se gjobat nuk i vetëdijesojnë personat, ata vetëdijesohen me masa preventive dhe masat edukative”, shtoi më tej ai.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, gjatë intervistës për Telegrafin

Kurse sa i përket shoferëve të rinj, Dedaj tha se për ta duhet të ketë një poligon të sigurisë.

“Shoferët e rinj duhet të kenë masa edukative, si masë edukative unë propozoj që të jetë një poligon i sigurisë dhe këta shoferë në qoftë se duan ta përdorin automjetin për të bërë gara, atëherë të shkojnë në poligon të sigurisë ku e lirojnë energjinë negative për vozitje. Kjo është masa më e thjeshtë më e mirë që ne të ruajmë të rinjtë prej aksidenteve të komunikacionit”.

Dedaj këshillon shoferët që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e qarkullimit

“Këshilla ime për drejtuesit e automjeteve është të përshtatin shpejtësinë kushteve të qarkullimit në kohën e sotme, dhe ta lajnë shpejtësinë anash. Për shkak se ekziston mundësia që në segmente të ndryshme rrugore sikurse që janë urat pa lumë, aty ku hijezohet rruga të paraqitet akulli i zi, sa i përket akullit të zi, Kosova ka shumë pak njohuri, se si paraqitet dhe në këtë rast pastaj ti shpëtojmë aksidenteve fatale”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version