Site icon Telegrafi

Deda thotë se LDK duhet ta pranojë propozimin e Albin Kurtit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka komentuar propozimin që kreu i VV-së, Albin Kurti, i ka bërë kreut të LDK-së, Isa Mustafa. Në ofertën e bërë, Kurti ka ftuar Mustafën që të garojnë me një listë të përbashkët, por pa kandidat për kryeministër, kurse kandidati i cili merr më së shumti vota ai i LDK-së apo i VV-së, të zgjidhet kryeministër.

Deda ka thënë se propozimi i Kurtit duhet pranuar.

“Propozimi i Albinit për listë të përbashkët zgjedhore LDK-së, duke e mënjanuar pikën ndarëse se kush është kandidat për kryeministër, duhet të pranohet”, ka shkruar Deda në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se Kosova është aq afër mundësisë historike të transformimit politik e shoqëror, dhe kjo mundësi në asnjë rrethanë nuk bën të humbet.

Ndërkohë, Kurti gjatë ditë ka bërë publike ofertën e tij për VV, duke thënë se koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së, është ai që po e dëshirojnë qytetarët.

“Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 6 tetor./Telegrafi/

 

Exit mobile version