Site icon Telegrafi

Debutim për t’u harruar: Makthi i Higuan në ndeshjen e parë në MLS, humb penalltinë dhe përleshet me lojtarët kundërshtarë

(Foto: Twitter/Screenshot/MLS)

Gonzalo Higuain do ta ketë planifikuar tërësisht ndryshe debutimin e tij për Inter Miami që nga një ëndërr u shndërrua në makth.

Ish-sulmuesi i Juventusit e humbi penalltinë duke e ekzekutuar në mënyrë të tmerrshme, si dhe nisi një përleshje fizike, pasi lojtarët e Philadelphia Union e ngacmuan duke festuar para fytyrës së tij humbjen e penalltisë.

Argjentinasi e regjistroi paraqitjen e tij të parë për klubin që është pronë e David Beckham, ndërsa pritshmëritë nga ai ishin të mëdha.

I mjaftuan 20 minuta lojë dhe Higuain e goditi shtyllën duke paralajmëruar se do të tregohej i rrezikshëm, mirëpo pasoi makthi.

Skuadra e tij po humbte 2-0, ndërsa kishin mbetur edhe 14 minuta deri në fund të takimit në Subaru Park dhe Miami pati një penallti. Higuain e mori përgjegjësinë për ta kthyer skuadrën në lojë.

Mirëpo, topi shkoi përmbi portë dhe lojtarët e gëzuar të Philadelphia Union festuan para fytyrës së 32-vjeçarit, i cili reagoi duke u përleshur me pesë lojtarë kundërshtarë.

Deri në fund të ndeshjes, ekipi rival e shënoi edhe një gol dhe e fitoi ndeshjen me rezultat 3-0. /Telegrafi/

Exit mobile version