Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka pasur një debat mes deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Fillimisht deputetja Deliu-Kodra tha se raporti i Auditorit të Brendshëm u dha vulë pretendimeve të PDK për dallavere, paligjshmëri, korrupsion e hajni në MI, duke kërkuar shkarkimin e ministrit Aliu dhe zëvendësministrit Durmishi.
Pas kësaj u përgjigj ministri Liburn Aliu i cili tha se raportin e Auditorit të Brendshëm e kanë marrë seriozisht, dhe se një raport të tillë e kishte iniciuar vetë ai bashkë me zëvendësministrin Hysen Durmishi.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra sërish ka pyetur ministrin Aliu se përse nuk e ka shkarkuar askënd deri më tash.
“Pse nuk e keni shkarkuar askënd për këto parregullsi që thatë vetë keni iniciuar këtë raport të auditimit. Pse nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi i cili edhe vetë ka deklaruar se ka lidhje të ngushta miqësore me disa prej kompanive që ju vetë i keni shpërbly me kontrata milionëshe”, pyeti Deliu-Kodra.
Sërish përgjigje i ktheu ministri Aliu, duke thënë se në momentin që Prokuroria i jep orientim hetimeve do të ndërmarrin masa ndaj cilitdo zyrtar.
“Ju po thoni distancim, në momentin që hetimet përcaktojnë konkretisht orientimin patjetër që do të marrim masa ndaj cilido zyrtar kushdo qoftë ai”, tha Aliu.
Ai shtoi se raporti i Auditimit është i mirëseardhur.
“Parregullsi ka pas jashtëzakonisht shumë, dhe dukuria e tillë është tendencë të vazhdoj edhe më tej. Atë çka shohim nga e kaluara që kemi trashëguar nga ju, është trashëgimi i e tillë që mbase nuk mund të besohet, e jona është që të vendosim rend”, tha Aliu./Telegrafi/