Mbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, kaloi te Juve nga Ajax për 75 milionë euro, por në ndeshjen e parë të Serie A ai ishte në bankën rezervë.
Por kjo strategji nuk është e re te Juventusi. Kjo pasi shumë top-lojtarë që kanë zbarkuar te Juve e kanë nisur nga banka.
Emra si Gonzalo Higuain, Arturo Vidal, Paul Pogba dhe Paulo Dybala, e kanë nisur aventurën bardhezi nga stoli.
Më poshtë e gjeni situatën e secilit dhe grafikën se si ka shkuar ecuria e këtyre yjeve.
Gonzalo Higuain
“El Pipita” është blerë nga Juventusi më 26 korrik 2016 për shumën e 90 milionë eurove.
Ai e bëri debutimin e tij me bardhezinjtë (në Serie A) nga stoli, duke e zëvendësuar Mario Mandzukicin në 66 minutën, ku edhe shënoi gol.
Më 10 shtator ai e nisi nga minuta e parë ndaj Sassuolos, ku shënoi dy herë.
Në sezonin e parë Higuain te Juve i shënoi 24 gola në 38 ndeshje të Serie A, ose 32 gola në të gjitha garat.
Arturo Vidal
Erdhi te Juventusi më 22 korrik 2011 për 10.5 milionë euro. Kiliani e bëri debutimin e tij me fanellën bardhezi më 11 shtator, javën e parë të kampionatit, duke shënuar menjëherë në fitoren 4-1 ndaj Parmas. Ai e nisi nga stoli këtë ndeshje.
Vidal ndeshjen e parë si startues e kishte në javën e 4-të të Serie A.
Ai deri në fund luajti 33 ndeshje në Serie A, duke e gjetur rrjetën shtatë herë.
Paul Pogba
Francezi erdhi si lojtar i lirë te Juve duke nënshkruar më 3 gusht 2012.
Mesfushori debutoi si startues në Serie A më 22 shtator 2012, në javën e 4-t të kampionatit.
Pogba do ta mbyllte sezonin e parë në Itali me 27ndeshje të luajtura (në Serie A) dhe 5 gola të shënuar.
Paulo Dybala
“Diamanti” u vesh bardhezi në qershor të vitit 2015. Debutimin ai e bëri më 30 gusht, në javën e dytë të Serie A.
Ai e nisi me gol ndaj Romës. Në sezonin e parë ai shënoi 19 gola në 34 ndeshje në Serie A.
Një lojtar i madh që erdhi te Juve dhe e nisi ndeshjen e parë nga fillimi ishte Cristiano Ronaldo.
Por CR7 mbetet një kategorie tjetër dhe dëshira e të gjithëve ishte që ai të ishte në fushë. /Telegrafi/