Telegrafi

De Jong thyen heshtjen dhe tregon se si Joan Laporta i bënte presion për tu larguar nga Barcelona

Frenkie de Jong ka qenë ndër emrat më të përmendur gjatë afatit kalimtar veror për transferimin e futbollistëve.

Ylli holandez i Barcelonës u kërkua nga klube si Manchester United, Chelsea e Bayern Munich dhe Barcelona ishte e gatshme ta shiste për të pasur të ardhura të mira në klub.

Megjithatë De Jong kishte vendosur të qëndronte në Camp Nou, edhe pse ka pranuar se ka pasur presion të madh mbi të.

25-vjeçari e ka pranuar se ka qenë edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ndër personat që i ka bërë presion për tu larguar, por ai tha se vendimin për të qëndruar e kishte marrë në maj dhe mundohej të ishte i qetë.

“Isha i qetë. Vendosa në maj se doja të qëndroja dhe nuk kam ndryshuar mendim gjatë gjithë kësaj periudhe”.

“E dija se do kisha presion por kam ruajtur qetësinë. Presion kisha nga gazetat, nga presidenti apo nga kushdo tjetër, gjithsesi unë isha i qetë dhe doja të qëndroja te Barça”, deklaroi mesfushori holandez.

Katalunasit ende shpresojnë ta shesin në janar holandezin për shumën e 80 milionë eurove dhe largimi i tij tani mund të ndodhë, për faktin se De Jong nuk po luan si titullar.

Njëra nga arsyet që Barça synon ta heq yllin holandez është se De Jong mbetet futbollisti më i paguar në Camp Nou me pagë vjetore prej 18 milionë euro. /Telegrafi/