Kevin De Bruyne e vlerëson maksimalisht sulmuesin Romelu Lukak dhe thotë se Belgjika është me fat që e ka në ekipin kombëtar sulmuesin e Interit.
Lukaku ka 25 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat me Interin deri më tani këtë sezon dhe është një armë shtesë për Belgjikën.
“Romelu është një lojtar vendimtar për ne. Është gjithmonë avantazh ta kesh atë në ekip. Ai është një nga sulmuesit më të kompletuar në Evropë”, ka thënë fillimisht De Bruyne në konferencë shtypi.
“Karakteristikat e tij na lejojnë të performojmë mirë. Sa më shumë lojtarë të kemi në dispozicion, aq më shumë shanse kemi për t’i filluar mirë këto kualifikime”.
Lukaku dhe kolegët e tij të Interit janë lejuar të bashkohen me ekipet e tyre kombëtare nga autoriteti lokal shëndetësor i Milanit.
Katër lojtarë të Interit u testuan pozitivisht javën e kaluar dhe loja e tyre kundër Sassuolo u shty, me të gjitha aktivitetet e pezulluara për disa ditë.
“Për fat të mirë, ai u bashkua me ne pas asaj që ndodhi në Inter. Ne jemi më të lumtur dhe më të sigurt në vetvete me të në krah”, përfundoi ylli belg. /Telegrafi/