Telegrafi

De Bruyne: Alexis do ta përmirësojë Cityn

(Foto: Getty Images)

Kevin De Bruyne ka pranuar se mezi pret kalimin e Alexis Sanchezit te Manchester City.

Lideri i Ligës Premier ka shprehur interesim për sulmuesin e Arsenalit, të cilin nuk arriti ta transferonte gjatë verës.

Është raportuar se kiliani tashmë ka arritur marrëveshje me Cityn, mirëpo dy klubet duhet të caktojnë çmimin transferues për lojtarin.

(Foto: Getty Images)

Topçinjtë e vlerësojnë 29-vjeçarin rreth 40 milionë funte (45 milionë euro), përkundër se ai është në gjashtë muajt e fundit të kontratës.

Pep Guardiola nuk do ta ketë në dispozicion Gabriel Jesusin për dy muaj pas lëndimit të ligamentit të gjurit, derisa Sergio Aguero ka pasur probleme me gjendjen fizike kohët e fundit.

De Bruyne beson se me transferimin e Sanchez, faza sulmuese e Cityt do të kishte më shumë opsione.

(Foto: Getty Images)

“Një lojtar shumë i mirë. Natyrisht duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në periudhën transferuese. Nëse një lojtar i mirë vjen te ne, kjo është më mirë, nëse nuk vjen, atëherë do t’ia dalim me skuadrën që kemi”.

“Të gjithë po bëjnë punë të mirë. Kur të vijë ai, do të jetë një shtesë e madhe për ekipin”, ka deklaruar mesfushori belg. /Telegrafi/