Site icon Telegrafi

De Biasi: Nuk jam i martuar me shqiptare

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi ka sqaruar një keqkuptim që ka ndodhur pas deklaratave të tij se është i martuar prej 3 vitesh me një shqiptare.

De Biasi deklaroi pak ditë më parë se do të donte të merrte nënshtetësinë shqiptare, pasi në fund të fundit ishte i martuar me një shqiptare prej tre vitesh, por nuk i referohej një gruaje.

Pikërisht për këtë arsye, trajneri i Kombëtares tregon se familja e tij është gruaja, Paola dhe vajza Chiara.

“Kohë më parë, në një intervistë kisha thënë si “batutë” (shaka) që isha martuar me një shqiptare për më tepër se tre vjet … dhe nënkuptoja Skuadrën Kombëtare të Futbollit Shqiptar! Kjo batutë e imja ka krijuar një keqkuptim. Sot, dua të konfirmoj që nuk jam i martuar me asnjë grua shqiptare! Jeta ime, familja ime, janë Paola, bashkëshortja ime dhe Chiara Sofia, vajza ime e adhurueshme”, shkruan ai në Facebook.

Postimi i De Biasit është bërë në tre gjuhë, italisht, anglisht dhe shqip, në mënyrë që kjo deklaratë e tij të kuptohet nga të gjithë.

Tekniku italian, ditën kur Kombëtarja shqiptare luajti kundër Armenisë, u pajis me pasaportën shqiptare. /Telegrafi/

Exit mobile version