Telegrafi

David Villa lajmëron pensionimin nga futbolli

Ish- ylli i Barcelonës , David Villa ka konfirmuar planet e tij për të dalë në pension pasi të përfundojë sezoni aktual i J-League apo i Superligës së Japonisë.

37-vjeçari ka luajtur këtë vit për skuadrën japoneze Vissel Kobe, me të cilët renditet në vendin e dhjetë, ndërsa kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u mbyllur sezoni i rregullt.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën në mëngjes, Villa zbuloi se do të varë këpucët e tij, duke deklaruar se dëshironte të përfundojë karrierën e tij me kushtet e tij.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth David Villas

“Pas 19 vitesh si profesionist, kam vendosur të tërhiqem nga luajtja e futbollit në fund të këtij sezoni”, ka thënë fillimisht Villa.

“Faleminderit të gjitha ekipeve, trajnerëve dhe shokëve të skuadrës që më kanë lejuar të shijoj këtë karrierë të ëndërruar. Faleminderit për familjen time, që gjithmonë ka qenë aty për të më mbështetur gjatë kohërave të mira dhe të vështira”.

“Objektivi im është ta vendos qershinë mbi tortë duke fituar Kupën e Perandorit me Vissel Kobe më 1 Janar”.

“Nga atëherë e tutje, unë do të vazhdoj të shijoj futbollin përmes të gjitha projekteve që ne jemi aktualisht duke zhvilluar me grupin DV7. Faleminderit për gjithë dashurinë”, ka përfunduar ylli spanjoll.

Karriera 19-vjeçare e Villas filloi në Spanjë me Sporting Gijon para lëvizjeve të mëvonshme te Zaragoza, Valencia , Barcelona dhe Atletico Madridi.

Pasi kaloi pjesën më të madhe të karrierës në vendin e tij, Villa vendosi kalimit në MLS te New York City në vitin 2015, ku ai kaloi katër sezone para se të bashkohej me Kobe në fillim të këtij viti.

Lexo po ashtu Goal.com zgjedh formacionin e dekadës te Barcelona, Neymar mbetet jashtë

Sulmuesi ka shënuar 12 herë dhe ka kontribuar me dy asistime në 26 paraqitje të këtij sezoni, me klubin që aktualisht gjendet në vendin e 10-të në J-League.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Villa fitoi tre  tituj të La Ligës, tre Copa del Reys dhe Ligën e Kampionëve në 2011 me Barcelonën.

Ndërkombëtarisht, spanjolli përfaqësoi vendin e tij 98 herë duke fituar Euro 2008 para se të fitonte dhe Kupën e Botës dy vjet më vonë. /Telegrafi/