Mbrojtësi i krahut i Manchester Unitedit, Matteo Darmian, është i hapur që t’i bashkohet Juventusit gjatë verës – bën të ditur Tuttosport.
Sipas gazetës torineze, lojtari i ka njoftuar përfaqësuesit e Zonjës së Vjetër se dëshiron ta vazhdojë karrierën te kampioni italian.
Hapi i radhës është që drejtori gjeneral, Giuseppe Marotta, t’i finalizojë bisedimet me Djajtë e Kuq në lidhje me çmimin e transferimit.
Ngjashëm si Mattia De Sciglio, Darmian vlerësohet për aftësitë e tij që të luajë si mbrojtës krahu në të dyja anët, si edhe në qendër të mbrojtës.
28-vjeçari ka kontratë me Unitedin deri në verën e vitit 2019, mirëpo ka mbetur jashtë planeve të Jose Mourinhos duke regjistruar vetëm 13 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.
Klubi anglez e transferoi lojtarin në verën e vitit 2015 nga Torino për 18 milionë euro.
Ai rrjedh nga Akademia e Milanit, ndërsa ka luajtur edhe për klubet, si Padova e Palermo. /Telegrafi/