Site icon Telegrafi

Danimarka do të dërgojë 250 milionë dollarë donacion ushtarak në Ukrainë – Rusia ka ‘diçka tjetër në mendje’ në raport me këtë shtet

Danimarka do të dhurojë pajisje ushtarake dhe mbështetje financiare për Ukrainën me vlerë 250 milionë dollarë, tha ministri i mbrojtjes së vendit nordik Troels Lund Poulsen.

Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, ministri tha gjithashtu se Danimarka do të reduktojë praninë e saj ushtarake në Irak duke filluar nga fillimi i vitit 2024 dhe në vend të kësaj do të fokusohet në vendet baltike, duke i ofruar NATO-s një batalion për të mbrojtur rajonin.

Batalioni pritet të përbëhet nga 700-1200 ushtarë dhe pritet të vendoset në Letoni nga katër deri në gjashtë muaj çdo vit.

Pjesën tjetër të vitit, trupat do të qëndrojnë në Danimarkë, të gatshme për t’u vendosur në shtetet baltike në rast krize, tha ministria e mbrojtjes.

Në anën tjetër, mediat raportojnë se Rusia mund të rekrutojë civilë dhe të përdorë gazetarë dhe njerëz të biznesit për të spiunuar Danimarkën, tha në një raport sot Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës (PET).

Lexo po ashtu Këto lëvizje të fundit zbulojnë frikën e Moskës se kundërofensiva pranverore e Ukrainës mund të shënojë një "përparim të madh"

Duke kontrolluar hyrjen në Detin Baltik, Danimarka do të luante një rol të rëndësishëm strategjik në një konflikt të mundshëm ushtarak me Rusinë si një pikë tranziti për përforcimet e NATO-s, duke e bërë anëtarin e NATO-s një fokus të veçantë për Rusinë, tha PET.

Kur Danimarka, në përputhje me vendet e tjera të BE-së, dëboi 15 diplomatë rusë në prill të vitit të kaluar, ajo dëmtoi kapacitetin e Rusisë për të spiunuar në tokën daneze.

“Por nevoja e Rusisë për të marrë informacion në Danimarkë është rritur dhe PET për këtë arsye pret që Rusia të përpiqet të përdorë mënyra të tjera spiunimi në Danimarkë”, citohet të ketë thënë më tej PET.

“Mund të jetë stacionimi i oficerëve të inteligjencës në Danimarkë jashtë përfaqësive diplomatike, për shembull si gazetarë ose njerëz të biznesit,…”. /Telegrafi/

Exit mobile version