Telegrafi

Dana White: Khabib duhet të jetë kundërshtari i ardhshëm i McGregor, jo Masvidal

(Foto: Steve Marcus/Getty Images/Guliver)

Conor McGregor është i gatshëm për cilindo kundërshtar, pas triumfit me nokaut teknik ndaj Donald ‘Cowboy’ Cerrone në duelin e Las Vegasit. Irlandezit i mjaftuan 40 sekonda që ta fitonte duelin, ndërsa tashmë po flitet për kundërshtarin e tij të ardhshëm.

Kampioni i BMF, Jorge Masvidal, e ka shprehur publikisht dëshiron për t’u përballur me irlandezin, ndërsa edhe këtij të fundit i pëlqen ideja që të përballet me të.

Presidenti i UFC-së, Dana White, është pyetur menjëherë pas triumfit të McGregor se cili do të jetë kundërshtari i tij i ardhshëm, ndërsa kreu i organizatës ka pasur një emër – ai e dëshiron rimeçin ndaj Khabib Nurmagomedov.

Conor McGregor (Foto: Steve Marcus/Getty Images/Guliver)

“Gjithmonë ka të tillë që duan të maten me Conorin dhe të gjithë duan të ndeshen me Conorin… Por, nëse shikoni se çfarë mund të ketë kuptim, jemi në një moment kur Conor po thotë se është i gatshëm për duelin ndaj Khabibit, me të cilin ka shumë gjëra personale”.

Lexo po ashtu McGregor: Kundërshtari i ardhshëm? Nuk ka rëndësi, nuk më intereson

“Disa gjëra ndodhën vetvetiu, ai pati lëndime dhe shumë gjëra ndodhën, ndërsa që atëherë është fiksuar pas rimeçit, sepse e ai e di se nuk ishte në formën e tij më të mirë (në duelin e parë që e humbi nga Khabib)”.

Momenti i triumfit të Khabib Nurmagomedov ndaj Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

“Pas kësaj që ndodhi sonte dhe kur e kemi parasysh mënyrën si e fitoi Khabib duelin e parë dhe si është transformuar Khabibi që nga meçi i parë, atëherë po shohim një përballje të nivelit (Marvin) Hagler-(Tommy) Hearns. (Muhammad) Ali-(George) Foreman. Ali-(Joe) Frazier.

“Khabibi është kundërshtari për t’u përballur. Është gjë e madhe edhe për trashëgiminë e Khabibit. Nëse e ka mposhtur Conor McGregorin, pastaj e mund edhe Tony Fergusonin dhe pastaj e mposht sërish Conor McGregorin, kështu vjen edhe pensionimi, ai është 30 e diçka vjeç dhe 0 humbje dhe i ka mposhtur të gjithë më të mirët”, ka deklaruar White në konferencën për shtyp pas duelit. /Telegrafi/