Andy Ruiz Jr dhe Anthony Joshua ka dallime të mëdha fizike para rimeçit të tyre Diriyah Arena të Arabisë Saudite, ku janë në lojë titujt e botës në kategorinë e peshave të rënda, WBA, WBO, IBF dhe IBO.
Meksikano-amerikani e mposhti britanikun duke e rrëzuar katër herë në duelin e parë më 1 qershor, ndërsa planifikon ta bëjë të njëjtën gjë dhe t’i mbajë titujt e botës duke dëshmuar kështu se meçi i parë nuk ishte befasi.
Porse, në matjet zyrtare është vërejtur se Joshua ka rënë shumë në peshë (107.5 kilogramë), ndërkohë që Ruiz kishte shtuar në peshë (128 kilogramë) në krahasim me matjet zyrtare në duelin e parë.
Mirëpo, përveç peshës, dallimi kryesor ndërmjet dy boksierëve është në gjatësinë e tyre trupore. AJ është 198 centimetra i gjatë, ndërsa Ruiz ka gjatësi prej 188 centimetrash, që do të thotë se diferenca në mes tyre është 10 centimetra.
Po ashtu, dy boksierët kanë dallim të madh edhe në arritje të largësisë me duar, duke qenë se gjatësia e shtrirjes së të dy krahëve të britanikut është 208 centimetra, kurse e meksikano-amerikanit është vetëm 188 centimetra.
Mirëpo, Ruiz, i njohur me nofkën ‘Shkatërruesi’, thotë se stili dhe përmasat fizike të Joshuas janë të përsosura për të.
“Mendoj se stili i tij ishte i përsosur mua dhe mendoj se do të jetë njësoj (edhe gjatë rimeçit). Mendoj se ai do të boksojë mirë për katër apo pesë raunde, derisa unë t’i bëj presion duke e goditur në trup dhe duke kombinuar”.
“Kjo është ajo që kam ushtruar ta bëj. Duke qenë i shkurtër, duke qenë më i shkathët, duke bërë presion, duke goditur me kombinime dhe duke qenë i pari që godas. E di se ai do të përpiqet të më godasë duke lëvizur, për këtë arsye ka humbur peshë, do të përpiqet të më mbajë larg me goditje në distancë. Por, pikërisht për këtë jemi përgatitur”, ka treguar kampioni në fuqi. /Telegrafi/