Shtimi i zërave brenda partnerëve të koalicionit që kërkojnë rishikim të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi, kanë bërë që Qeveria të hezitojë në dërgimin e marrëveshjes për ratifikim në kuvend, shkruan sot Koha Ditore.
Ka disa muaj që kryeministri Isa Mustafa insiston se janë shterur të gjitha mundësitë dhe se vetëm pritet procedimi i marrëveshjes, që ka dalë të jetë edhe njëri prej kushteve të fundit për liberalizim të vizave.
Edhe pse ishte thënë se më së largu në fund të majit do të procedohet marrëveshja, kjo nuk pritet të ndodhë, të paktën jo gjatë kësaj jave.
Janë deputetë të PDK-së që kanë kërkuar sërish raportim të Komisionit shtetëror për Demarkacion, me në krye Murat Mehën, në prezencë edhe të ekspertëve dhe palëve të tjera të interesit.
Ky raportim ishte paralajmëruar të mbahet sot (e martë), por është shtyrë me arsyetimin se nuk janë prezentë të gjithë deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane.
Ndërkaq lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar rikthim në kuvend, kur të vijë për raportim Meha.