Policia e Shtetit ka shpërndarë sot pamjet e një operacioni të gjerë policor në disa qytetet të Shqipërisë, pas një hetimi 3-vjeçar në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK.
Sipas njoftimit të policisë, janë arrestuar 35 shtetas, pjesëtar të 5 grupeve të strukturuara kriminale të sinkronizuar me njëri-tjetrin, që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar 1 armë zjarri, municion luftarak, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojeve të ndryshme, qindra bimë narkotike, vaj hashashi dhe një sasi farash kanabisi.
Ndërkohë janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, Prrenjas, gjatë periudhës mars 2019-nëntor 2020, ka shtuar policia.
Mes personave të arrestuar ka edhe punonjës të policisë, ka theksuar Policia e Shtetit, duke shtuar se në vijim të veprimeve policore janë shpallur në kërkim disa persona të tjerë, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre, gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë. /Telegrafi/