Site icon Telegrafi

Dakordim për hapat e radhës në dialog, Lajçak takon sot liderët opozitarë  

Foto: Arkiv

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ndodhet për një vizitë në Prishtinë, gjersa pas takimit të së hënës mbrëma, ai sot do të takojë liderët opozitarë. 

Telegrafi mëson se Lajçak sot do të takohet me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ora 10:15, ndërkaq me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të takohet në ora 10:30.

Takimi i emisarit të BE-së me liderët e opozitës do të mbahet në Zyrën e BE-së.

Ndryshe, Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Bislimi ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi si vazhdimësi e takimit të fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm [në dialog]”, ka shkruar Lajçak.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lexo po ashtu Lajçak dhe Bislimi pas takimit: Ka dakordim për hapat e radhës në dialog

“Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, citohet të ketë thënë tutje Bislimi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version