Telegrafi

Daka: Vetëvendosje, PDK dhe Lista Serbe garojnë me nga katër kandidatë në zgjedhjet në veri (Video)

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një intervistë të dhënë për Telegrafin, ka folur rreth procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. 

Gjatë intervistës, Daka tregon për subjektet politike dhe kandidatët që janë certifikuar. Gjithashtu, ajo flet edhe për buxhetin që kanë planifikuar për organizmin e këtyre zgjedhjeve, si dhe për rolin që OSBE do ta ketë me 19 maj, ditën e zgjedhjeve.

“Ka përfunduar afati për aplikim të kandidatëve për kryetar të katër komunave. Afat shtesë nuk do të ketë, sepse kandidatët të cilët e kanë pasur ndërmend të aplikojnë, tashmë i kanë sjell aplikacionet e tyre”, ka thënë Valdete Daka për Telegrafin.

Ajo tregoi se sa kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“I kemi gjithsej 12 kandidatë, i kemi këto subjekte politike, Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, dhe Listën Serbe të cilat kanë aplikuar me nga katër kandidatë”, ka sqaruar Daka.

 

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka gjatë intervistës për Telegrafin

Daka foli edhe rreth rolit që OSBE do ta ketë në zgjedhje.

“Do të jetë roli që kanë pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, pra OSBE do të ofrojë këshilla teknike për komisionet komunale zgjedhore, dhe këshilla teknike rreth votimeve në ditë e zgjedhjeve, rol i limituar, dhe vetëm këshillëdhënës – asgjë tjetër”, tha Daka.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore do të mbahen me 19 maj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje të parevokueshme. /Telegrafi/