Përplasje të vazhdueshme ka pasur sot gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alim Rama dhe kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.
Daka gjatë mbledhjes tha se ka pasur anëtarë në QNR që kanë dhënë dorëheqje, për shkak të presionit që anëtarët e KQZ-së kanë bërë atje.
Sami Kurteshi i LVV-së në mbledhje u shpreh se gjatë gjithë kohës kanë qenë në QNR dhe kanë monitoruar procesin, ndërkaq u tha se ka marrë fund monopoli që sipas tij është krijuar në KQZ.
“Publikisht po kërkojmë prej Sekretariatit që janë vota të serbëve, të romëve edhe të shqiptarëve që janë manipulu. Po dua që këto vota të shkojnë në prokurori. Po du me ba publike, por jo me ba në heshtje këtë”, tha Kurteshi.
“Sami Kurteshi edhe Alim Rama kanë vendos që mbledhjet e KQZ-së nuk kanë me qenë me makinë votimi”, vazhdoi Kurteshi duke ngritur zërin.
Teksa kryetarja e KQZ-së i tha që të mos bërtas, Kurteshi ia ktheu duke i thënë se do të vazhdojë të bërtas derisa ajo e bën të njëjtën gjë.
Kryetarja e KQZ-së mbylli mbledhjen teksa i kërkoi Kurteshit ta ulë zërin.
“Konsideroj që kjo mbledhje nuk mundet me vazhdu. Në momentin që Sami Kurteshi do të fillojë të sillet si njeri normal edhe njeri i kulturum, mundet me vazhdu mbledhja”, tha Daka. /Telegrafi/