Transferimi i ri i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ndoshta është 33 vjeçar, mirëpo ai vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve më të mirë në botë.
Superylli portugez iu është bashkuar Bianconerëve pas tri trofeve radhazi në Ligën e Kampionëve, ndërsa në total garën më të madhe për klube e ka fituar pesë herë në karrierë.
Më poshtë jua sjellim disa prej statistikave që e kanë bindur Zonjën e Vjetër të shpenzojë para të majme për CR7:
Në total, Cristiano Ronaldo i ka zhvilluar 915 ndeshje në karrierën e tij deri më tani. Gjatë kësaj periudhe ka shënuar 658 gola dhe ka dhuruar 208 asistime.
Prej se iu bashkua Real Madridit në vitin 2009, portugezi ka shënuar më shumë gola sesa ndeshjet e zhvilluara – karriera e tij te Los Blancos përfundon me 438 paraqitje dhe 450 gola.
Në gjashtë sezone radhazi, nga 2010/2011 deri më 2015/2016, Ronaldo ka shënuar mbi 50 gola. Në sezonin 2014/2, ai realizoi 61 gola në 54 ndeshje të zhvilluara.
Portugezi ka qenë lojtar kyç edhe gjatë kohës sa ishte te Manchester Unitedi duke u ndihmuar Djajve të Kuq ta fitonin Ligën Premier tri herë rresht (2006/2007, 2007/2008 dhe 2008/2009).
Edhe pse rekordi golashënues te Unitedi nuk ishte aq mbresëlënës sa te Reali, Ronaldo ia doli të shënonte 118 gola në 292 ndeshje.
Asnjë lojtar nuk ka shënuar më shumë gola në Ligën e Kampionëve sesa Cristiano Ronaldo – i cili e ka gjetur rrjetën plot 120 herë. Ai ka qenë golashënuesi më i mirë në gjashtë sezonet e fundit. Këtë numër golash e ka arritur vetëm në 153 ndeshje – ndërsa në 29 ndeshjet e para nuk kishte shënuar asnjë gol që do të thotë se prej se ka nisur të shënojë, nuk është ndalur më.
CR7 e ka barazuar ish-legjendën e Juves, Michel Platini, për gola të shënuar në Kampionatet Evropiane – me nga nëntë sosh. Në vitin 2016, ai u shpall kampioni Evropës me Portugalinë.
Cristiano është lojtari i vetëm që ka shënuar në tri finale të Ligës së Kampionëve.
Askush nuk ka shënuar më shumë het-trikë sesa Ronaldo në La Liga, 34 herë nga tre gola, ndërsa së bashku me Lionel Messin mbajnë rekordin me nga tetë het-trikë të shënuar brenda një sezoni.
Portugezi është futbollisti i vetëm që ka shënuar 30 e më shumë gola në gjashtë sezone radhazi në La Liga.
Ronaldo mban rekordin në Portugali, edhe për numrin e paraqitjeve (152), edhe për numrin e golave (85).
Golat e tij me kombëtaren e kanë bërë golashënuesin e dytë më të mirë me përfaqësuese, vetëm prapa iranianit Ali Daeiof, i cili i ka shënuar 109.
Ai mban njëherësh edhe rekordin për më së shumti asistime në La Liga, plot 84 herë u ka ndihmuar bashkëlojtarëve të shënojnë gola.
Këto janë vetëm disa prej statistikave të panumërta të njërit prej lojtarëve më të mirë që ka luajtur në fushën e futbollit. /Telegrafi/