Mosha e grave shtatzëna, mosha e shtatzënisë (përkatësisht fundi i trimestrit të dytë dhe fillimi i trimestrit të tretë) dhe mos vaksinimi me COVID-19, janë vlerësuar faktorët e rrezikut të identifikuar në rastet e mortalitetit maternal në Kosovë.
Kështu tha në një intervistë për Telegrafin, gjinekologu Sabedin Fejzullahu, i cili po ashtu vlerësoi se te një numër i shtatzënave, infeksioni me COVID-19 ka shkaktuar forma të rënda të sëmundjes dhe për pasojë edhe shkalla e mortalitetit maternal ka dëshmuar se shtatzënat paraqesin një grup rreziku për forma të rënda të sëmundjes, COVID-19.
“Një numër i grave shtatzëna në KOGJ, infeksionin me COVID-19 e kanë kaluar në forma të lehta të sëmundjes dhe pa pasoja si për nënën ashtu edhe për frytin. Megjithatë te një numër i shtatzënave, infeksioni me COVID-19 ka shkaktuar forma të rënda të sëmundjes dhe për pasojë edhe shkalla e mortalitetit maternal ka dëshmuar se shtatzënat paraqesin një grup rreziku për forma të rënda të sëmundjes, COVID-19. Mosha e pacientëve, mosha e shtatzënisë përkatësisht fundi i trimestrit të dytë dhe fillimi i trimestrit të tretë dhe mos vaksinimi janë vlerësuar faktorët e rrezikut të identifikuar në rastet e mortalitetit maternal në Kosovë”, tha ai.
Sipas gjinekologut Fejzullahu ankesat më të shpeshta tek gratë shtatzëna të infektuara me COVID-10 kanë qenë kollitja, temperatura, ethet, kokëdhimbja dhe vështirësi në frymëmarrje.
Fejzullahu thotë po ashtu se te format e rënda të sëmundjes ka dominuar dispnea (frymëmarrje e vështirësuar).
“Shenjë kjo edhe me rënie të vlerave të saturimit të O2, ndryshime radiografike të mushkërive – pneumoni bilaterale dhe ndryshime laboratorike si rritja e vlerave të CRP-së dhe D–Dimeri”, shpjegoi tutje gjinekologu.
Por siç u shpreh Fejzullahu, fatkeqësisht numri më i madh i shtatzënave të hospitalizuara nuk kanë qenë të vaksinuara.
“Rastet me forma të rënda të sëmundjes i janë ekspozuar rrezikut të fatalitetit si për fetusin, ashtu edhe për gruan shtatzënë. Prandaj dua të apeloj te të gjitha shtatzënat që të vaksinohen dhe të mbrojnë edhe veten edhe frytin”, tha ndër të tjera gjinekologu, Sabedin Fejzullahu. /Telegrafi/