Barcelona pret që të përfundojë brenda disa ditësh transferimin e tyre rekord prej 160 milionë eurosh për nënshkrimin e Philippe Coutinhos, pasi lojtari nuk do të udhëtojë me Liverpoolin për përgatitje në vendin e ngrohtë të Dubait.
Gjigantët e La Ligas, në bisedimet e lehtësuara nëpërmjet përfaqësuesve të brazilianit, Kia Joorabchian dhe Giuliano Bertolucci, janë zotuar të paguajnë 120 milionë euro si tarifë bazë, me 40 milionë euro të tjerë që lidhen me paraqitjet.
Nuk ka marrëveshje ende në mes të klubeve, me Redsat që ende janë duke u përpjekur për të bindur 25-vjeçarin – me përfshirjen e drejtpërdrejtë nga drejtuesit e Fenway Sports Group – të mbetet në Merseyside deri në fund të sezonit të paktën.
Burimet pranë Coutinhos zbuluan për Goal.com se Redsat kanë qenë të pasuksesshëm në përpjekjet e tyre për të ndryshuar mendjen e brazilianit deri më tani, edhe pse kanë ofruar stimuj të lartë duke i ofruar pagë më të madhe.
Megjithëse Liverpooli po vazhdon në përpjekjet e tyre, organizatori i lojës ka vazhduar këmbënguljen e tij për të avancuar karrierën e tij te Barça pas pesë vjetësh në Anfield.
Vendimi i tij nuk është i motivuar financiarisht; braziliani dëshiron të bëjë hapin tjetër në karrierën e tij, duke i ofruar familjes së tij një mënyrë jetese më shumë në përputhje me kulturën e tyre.
Coutinho ka filluar përgatitjet për kalimin e tij në Camp Nou dhe është i bindur se së shpejti do të arrihet një përfundim i dëshirueshëm.
Nëse është kështu, ai do të zinte vendin e Ousmane Dembeles si transferimi më i shtrenjtë i Barçës gjatë gjithë historisë.
Ky kalim do të përfaqësonte gjithashtu një rekord të ri të transferimit britanik, duke e zhdukur me lehtësi 105 milionë eurot e Manchester United që pagoi te Juventusi për Paul Pogban. /Telegrafi/