Telegrafi

Courtois tha se është numri 1 te Reali, por Navas po dëshmon se e meriton të jetë portieri i parë te madrilenët

Thibaut Courtois kishte thënë në një intervistë për mediat belge se është e qartë se kush ishte numri një në Real Madrid, apo thënë ndryshe se kush është portieri i parë. Ai po mendonte për vetveten, natyrisht, por koha po dëshmon të kundërtën.

Real humbi ditë më parë kundër Tottenham Hotspur në kuadër të Audi Cup në Munich, por lojtari i “ndeshjes” te madrilenët në saje të pritjeve ishte Keylor Navas.

“Ne merituam një fitore më bindëse, por Keylor ishte më i miri në fushë dhe dëshmoi se është një nga portierët më të mirë në botë”, komentoi menaxheri i Spurs, Mauricio Pochettino.

Kostarikani ishte në portë para belgut pasi që Courtois ka lënduar kyçin e këmbës dhe do të duhet të pushojë për dy javë. Me pak fjalë, kjo do të thotë se Navas me siguri do të jetë në portë në ndeshjen e parë të sezonit të ri më 17 gusht kundër Celta Vigos.

Zinedine Zidanet, i cili i kishte besuar Navasit në vitet e kaluara, nuk i ka pëlqyer deklarata e Courtoisit. “Ajo që Thibaut tha, duhet ta dëshmojë në fushë. Asgjë nuk është e garantuar për askënd”, tha Zizou.

Ndryshe, Navas ka pasur paraqitje të mirë edhe në fitoren 5-3 kundër Fenerbahçes së Vedat Muriqit. /Telegrafi/