Thibaut Courtois padyshim ka qenë njeriu i ndeshjes mbrëmë dhe më meritori për triumfin e Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve.
Portieri belg ka bërë pritje të jashtëzakonshme në Paris, ku ndalte thuajse çdo goditje nga futbollistët e klubit anglez.
Reprezentuesi belg deklaroi pas ndeshjes se dëshironte të fitonte një finale të madhe për karrierën e tij, teksa u ankua se në Angli nuk e kishin respektuar sa duhet për atë që bënte në fushën e lojës.
“Doja të fitoja një finale për karrierën time, për t’i vënë respekt emrit tim, pasi mendoj se nuk jam respektuar sa duhet, veçanërisht në Angli, ku jam kritikuar vazhdimisht, edhe pas sezoneve mjaft të mira”.
“Jam shumë krenar për ekipin, pasi ne luftuam të gjithë së bashku dhe sa herë që duhej ndihma ime, unë isha aty për të treguar aftësitë e mia”.
Sipas numrit një të Los Blancos, ky triumf është mëse i merituar pasi kanë mposhtur dy skuadrat më të mira në botë si Liverpool e Manchester City.
“Kemi mposhtur ekipet më të mira në botë si Man. City e Liverpool, ndaj është një sukses tërësisht i merituar”, deklaroi Courtois.